A do bëjë Duka koalicion me PS? Malaj: Çdo parti synon të ketë përfaqësim në parlament

schedule14:45 - 24 Qershor, 2020

schedule 14:45 - 24 Qershor, 2020

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar një deklaratë të bërë nga kreu i PAA, Agron Duka se nuk do të hyjë në listat e PD dhe se është gati edhe për koalicion me të majtët.

Malaj e cilëson atë si një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe të orientuar nga poziviteti. Ai thotë se PAA ka kërkuar vazhdimisht rotacion politik, ndërsa thekson disa nga problemet në vend.

“Për këtë deklaratë të kryetarit të PAA ka shumë komente në rrjetet sociale. Komunikimi i drejtpërdrejtë, i sinqertë dhe i orientuar nga pozitiviteti dhe optimizmi për të ardhmen është shumë i rëndësishëm në angazhimet politike. Lidhur me debatin Churchilli theksonte se “për parimet e ndryshoj partinë por për partitë nuk i ndryshoj parimet”.

Kjo është shumë e rëndësishme edhe në rastin e PAA dhe deklaratës së z. Duka e cila vërtetohet edhe nga disa argumenta dhe fakte konkrete. (i) . z. Duka dhe PAA e kanë deklaruar se janë pjesë aktive e opozitës, ruajnë identitetin e tyre politik me fokus sfidat e bujqësisë dhe ambientit. (ii). PAA vazhdimisht ka theksuar se vendi ka nevojë per rotacion politik dhe është e angazhuar në përballjen opozitare me mazhorancën aktuale për braktisjen që ajo i ka bërë fermerëve dhe dëmet ambientaliste që po shkakton me modelin e saj të zhvillimit. Vetëm dy ditë më parë u njoftua se Tirana rezulton kryeqyteti më i ndotur në Europën Lindore dhe ndojtja gjatë qeverisjes së Veliaj është rritur gati 2 herë. Rritja e ndojtjes vret më shumë se coronavirus.

(iii). Z. Duka nuk ka pranuar asnjë ofertë për të shërbyer si “djali planprishës” i koalicionit opozitar edhe pse ka vërejtje konkrete për veprime konkrete të opozitës, e  cila duhet të maksimizojë votën e mbështetjes të saj mes shumë shqiptarëve drejt rotacionit politik.

(iv). Çdo parti politike synon të ketë përfaqësim në parlament, në Bashkitë dhe në Qeveri për të mbajtur premtimet e saj. Ka momente kur partitë politike dalin mbi vetveten dhe bëjnë koalicione që ç’tensionojnë politikën shqiptare apo çbllokojnë proçeset integruese të vendit. Opsioni i parë mbetet opozita ku PAA ka vite që kontribuon. Por asnjëherë një opsion nuk duhet të jetë i vetëm. E rëndësishme është që angazhimi të jetë vetëm për qëllime fisnike dhe larg interesave meskine.

(v). Qëndrimi i z. Duka përputhet me eksperiencat më të mira të Partive të Gjelbërta të cilat kanë imponuar programet qeverisëse në koalicionet ku kanë bërë pjesë. Të gjelbërit janë në rritje për shkak të angazhimit të tyre për çështjet jetike me të cilat shoqëritë tona po përballen. Ditë të mbarë, Arbeni”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!