Interi e rinisi mirë Serie A dhe fitoi përballë Sampdorias. Lukaku dhe Lautaro Martinez shënuan golat e triumfit 2-1 në “San Siro”, ndërsa miqve realizuan me anë të vikingut Thorsby. Antonio Conte i gëzohet fitores, por ka një kërkesë për skuadrën e tij në deklaratën e dhënë për Sky Sport.
Kjo ishte ndeshje e prapambetur për zikaltrit, të cilët i janë afruar Juventusit dhe Lazios. Gjashtë pikë është diferenca me bardhezinjtë dhe pesë me skuadrën e Inzaghit, kur kanë mbetur për t’u luajtur edhe 12 javë kampionat.
“Kur të krijohet mundësia, duhet ta ‘vrasësh’ sportivisht kundërshtarin. Mjafton të shohim ndeshjen e Kupës kundër Napolit: krijon mundësinë për të fituar, përfundon 1-1 dhe në fund kritikohesh.
Kundër Sampdorias duhet të ishim më të këqij, më të vendosur dhe cinikë. Mund të shkonim në 3-0, por pësuam gol dhe kaluam në 2-1. Kishim dy raste të pabesueshme për të shënuar golin e tretë.
Nëse duam të mbetemi në garë për titullin, duhet mos të harrojmë faktin që jemi 6 pikë larg kreut dhe janë për t’u zhvilluar edhe 12 ndeshje. Do të luajmë çdo tre ditë, do të luajmë shanset tona dhe shpresoj t’i kem të gjithë në dispozicion“, deklaron Conte. /abcnews.al