Cungu: Fituam një finale, Nwabueze është rikthyer prej tre javësh në stërvitje

schedule19:08 - 20 Qershor, 2020

schedule 19:08 - 20 Qershor, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli menjëherë pas fitores së skuadrës së tij 2-0 kundër Kukësit, një fitore tepër e rëndësishme. Për Supersport, Cungu analizoi ndeshjen dhe tregoi situatën e Nwabueze.

REZULTATI – “Mendoj se për shumë arsye duhet të jem i gëzuar. Natyrshëm që e nisëm si një finale, tentuam të bënim presion lart. Goli i parë na dha një farë qetësie, por duke parë ekipin e Kukësit që ka kualitete, u qetësuam te goli i dytë i shënuar nga Selmani. Kishim dhe mundësi të tjera për të shënuar, por komplimente djemve për atë që dhanë. Pas pandemisë, asnjë ekip shqiptar nuk do e kapë ritmin që duhet. Do të mundohemi t’i mbajmë lojtarët në formë, pasi kemi dhe gjashtë ndeshje shumë të rëndësishme për ne”.

TERRITOR – “Nuk duhet t’i japësh territor një ekip fëmijësh, jo më Kukësit. Ne nuk i lejuam territor në 30 minutat e para, por ata bënë një lojë të mirë me kualitetet që kanë. Në momentin kur ne kishim topin, u munduam të shfrytëzonim lojtarët e shpejtë si Xhixha dhe Greca”.

POZICIONET – “E rëndësishme është që ekipi të gjejë ekuilibrat. Të gjithë që futen në fushën e lojës, tentojnë të japin maksimumin dhe kjo gjë më gëzon. Kemi shumë lojtarë që luajnë në pozicion jo natyrale për shkak të mungesave. Për këtë, dua t’i komplimentoj”.

NWABUEZE – “Ka 2-3 javë që del në stërvitje dhe mbetem me shpresën që shumë shpejt do të jetë në fushën e lojës”.

KUKËSI – “Këto pyetje gjithmonë janë me “spec”. Unë nuk e heq asnjëherë mirënjohjen për ekipin e Kukësit. Edhe për Vllazninë, janë vende ku kam punuar, më kanë dashur dhe jam ndjerë shumë mirë. Futbolli i tillë është, tani jam në një ekip tjetër si Laçi dhe jam maksimalisht i fokusuar të bëj më të mirën për këtë ekip. Kur unë dua me gjithë zemër të mund Vllazninë, ekipet tjera janë më poshtë”, tha Cungu./abcnews.al