Interi është gati për rifillimin e Serie A. Zikaltrit presin nesër Sampdorian në shtëpi (21:45), ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Antonio Conte karikon djemtë e tij në konferencën për shtyp dhe vlerëson kolegun Ranieri.
Christian Eriksen është integruar plotësisht, teksa të gjithë lojtarët janë rritur. Tani është momenti i sprintit final për titullin kampion. Nëntë pikë larg Juventusit ndodhet Interi, diferencë që mund të shkojë në 6 pas zhvillimit të ndeshjes së prapambetur.
SITUATA – “Kemi shumë dëshirë për t’u rinisur. Stërvitja pa ndeshje nuk të dhuron asnjë kënaqësi, kemi nevojë për ndeshje dhe kompeticione. Kemi punuar shumë për të qenë gati, duam ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”.
SKUADRA – “Mendoj se është përfshirë plotësisht në realitetin tonë. Po përpiqemi të krijojmë situata loje që bazohen në karakteristikat e lojtarëve tanë. Duhet të fitojmë ndeshjen me Sampdorian, kjo është detyra jonë e parë.
OBJEKTIVI – “Kemi punuar mirë në aspektin fizik dhe taktik. Kemi minimizuar gabimet, skuadrat sipër nesh kanë gabuar më shumë. Besojmë se do të paraqitemi mirë, jemi gati të luajmë në limitet tona ndeshjet që kanë mbetur. Kemi dëshirë, entuziazëm dhe pasion. Skuadra është rritur në të gjithë parametrat”.
RANIERI – “Claudio është një trajner i shkëlqyer, ajo që bëri me Leicester City është e jashtëzakonshme. Është një person i shkëlqyer, i uroj më të mirat pas ndeshjes me ne”. /abcnews.al