Edinson Cavani ka dalë lojtar i lirë dhe nuk ka marrë ende një vendim rreth së ardhmes. Sulmuesi uruguaian u largua nga PSG pas shtatë sezoneve të kaluara në kryeqytetin francez. Atletico Madrid qëndron në “pole” për të siguruar shërbimet e goleadorit, në garë është edhe Interi, teksa pëlqehet edhe nga disa klube të Premier League.
Agjenti i “El Matador”, Walter Guglielmone ka folur shkurt rreth situatës së 33-vjeçarit për Efe, duke i dhënë shpresë të gjithë skuadrave të interesuara. “Do të dëgjojmë çdo propozim, asnjë ofertë që vjen në drejtim të Cavanit nuk do të hidhet poshtë”, deklaron Guglielmone.
Goleadorin e njohur e duan edhe në MLS-në amerikane dhe në Amerikën Latine, por ai ka akoma për të dhënë në Evropë. Klubet e interesuara duhet të nxitojnë për të paraqitur ofertat e tyre, teksa agjenti i tij ka hapur zyrtarisht ankandin. /abcnews.al