Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të hënë është ndaluar në Njësinë Administrative nr 1 në Tiranë. Basha ka dëgjuar nga afër shqetësimet e bizneseve, ndërsa ai theksoi se kriza ekonomike po thellohet çdo ditë.
Kryedemokrati përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se banorë dhe sipërmarrës të vegjël të kësaj njësie janë të frustruar nga rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit.
Basha thekson se biznesi i vogël është shtylla kurrizore e ekonomisë ndaj në planin e tyre ai do të ketë një detyrim të vetëm, që do të jetë 0.5 % të xhiros vjetore
Postimi i plote:
Kriza ekonomike po thellohet çdo ditë. Në çdo takim dhe bashkëbisedim në qytete dhe zona rurale mbizotëron një gjendje e rëndë, vështirësi që sa vijnë e shtohen, pamundësi dhe pasiguri për mbijetesë që thellohen përditë.
Banorë dhe sipërmarrës të vegjël në Njësinë Nr.1 në kryeqytet janë të frustruar nga rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit, faturat e rritura të energjisë dhe ujit dhe presioni i përditshëm i inspektorëve që sillen si banda dhe jo si punonjës shtetërorë.
Përballë kësaj Shqipërie reale të halleve dhe problemeve që janë shtuar prej dështimit të qeverisë vazhdon propaganda e shplarë dhe presioni i tatimorëve që u zhvat bizneseve dhe qindarkën e fundit. Paratë që duhet të shkonin për të nxitur konsumin, për të ndihmuar sipërmarrësit përfundojnë te 5 oligarkë përmes tenderave e PPP-ve korruptive.
RAMAVIRUSI me paaftësinë dhe arrogancën e tij i ka braktisur qytetarët dhe bizneset, duke i lënë pa mbështetje ekonomike, teksa nuk heziton t’i zhvasë dhe përdorë në mënyrë korruptive taksat e qytetarëve.
Kjo braktisje do të marrë fund. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë në krah një qeveri që kujdeset për interesin dhe mirëqenien e tyre dhe jo për xhepat e një grushti oligarkësh.
Biznesi i vogël është shtylla kurrizore e ekonomisë ndaj në planin tonë do të ketë një detyrim të vetëm, që do të jetë 0.5 % të xhiros vjetore. Çdo biznes do të ketë pullën tatimore dhe asnjë punonjës shteti qendror apo bashkiak nuk do të lejohet të hyjë në biznes. Ne do ta heqim bandën e tatimorëve dhe inspektorëve nga qafa e biznesit. Ne do t’i rikthejmë qytetarëve paratë e zhvatura duke investuar gjithçka për një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, për të stimuluar punësimin dhe rritur mirëqenien./abcnews.al