Verona “asist” Tares për Kumbullën, projektohet shkëmbimi mes shqiptarëve

schedule11:59 - 14 Qershor, 2020

schedule 11:59 - 14 Qershor, 2020

Hellas Verona kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e Marash Kumbullës. Lista e skuadrave që kërkojnë mbrojtësin shqiptar, është e gjatë. Gjithsesi, e ardhmja e tij pritet të jetë Serie A. Interi i pëlqen 20-vjeçarit, por Igli Tare nuk dorëzohet dhe e dëshiron te Lazio.

Marrëdhëniet mes bardhekaltërve dhe klubit veronez, janë shumë të mira. Presidenti i Hellas Verona, Maurizio Setti kërkon 35 milion euro për ta lënë të lirë djaloshin nga Malësia e Madhe. Shumë e madhe, sidomos në këtë kohë krize ekonomike.

Gjithsesi, Tare mund të ulë çmimin duke futur një tjetër shqiptar në këtë operacion. Corriere dello Sport raporton se Hellas Verona është e hapur të pranojë ndonjë lojtar nga skuadra kryeqytetase, çka do të ndikonte në uljen e çmimit të kartonit të Kumbullës.

Tare pritet t’i propozojë Hellas Veronës Riza Durmisin ose Valon Berishën. I pari u rikthye nga huazimi te francezët e Nice, ndërsa lojtari dardan është huazuar në Bundesligë, aty ku po aktivizohet me Fortuna Dusseldorf. /abcnews.al