“Ky Partizan s’del kurrë kampion! Rinovimet? Mos ju lutni askujt!”

schedule11:57 - 13 Qershor, 2020

schedule 11:57 - 13 Qershor, 2020

Edmond Dosti, ish-sulmuesi kampion me të kuqtë në vitin 1993, është i bindur se te Partizani po vonohen për ccdo gjë. Këtë e shpreh përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij në “Facebook”, ndërkohë që thekson se në Europë shkojnë vetëm për paratë, nëse ia dalin të kualifikohen. Ndër të tjera ai komenton edhe zërat e merkatos, që lidhen me rinovimet e kontratave me lojtarë si Alban Hoxha e Bruno Telushi, të cilët dalin të lirë më 30 qershor.

“Partizani është i vonuar në çdo aspekt. Për mua klubi po bën gabimet e së shkuarës, pasi me kaq pak kohe që kanë në dispozicion, shpresa për pjesëmarrje në Ligën e Europës do të ishte vetëm sa për adet dhe për të marrë shumën që të jep UEFA për përfaqësimin.

Them kështu, pasi deri më sot që flasim, Partizani nuk ka asnjë plan të zbardhur për të ndjekur, ndonëse dihet që për dy muaj fillon kampionati i ri 2020/2021. Klubi është i vonuar edhe këtë vit, pasi mangësitë mbeten në çdo hallkë. Për mua janë pa trajner, pa ide të qarta, pa merkato, si dhe rrinë e presin edhe për rinovimet me lojtarët.

Nuk kanë pse lusin asnjë, pasi fanella e Partizanit duhet ndier dhe për këtë kam qenë gjithnjë për afrimin e trajnerëve shqiptar, të rinj, me ide dhe ndjeshmëri për legjendën e futbollit shqiptar. Klubi insiston për trajner të huaj, por praktika ka treguar se ata nuk janë të vlefshëm, gjersa ambienti nuk e ka kulturën e tyre të punës ose ata që vijnë nuk kanë nivelin e ndonjë vendasi me energji dhe pasion për të ngritur Partizanin. Pastaj duhen afruar edhe disa lojtarë të spikatur në çdo repart, pasi me grupin që kemi nuk dalim kurrë kampion”, shkruan Dosti. /abcnews.al