Opozita parlamentare depoziton projektligjin në Kuvend, kërkon hapjen e listave

schedule12:02 - 12 Qershor, 2020

schedule 12:02 - 12 Qershor, 2020

Opozita parlamentare ka depozituar projektligjin në Kuvend ku kërkon hapjen e listave.

Amendamentet e propozuara nga opozita parlamentare, te siguruara nga gazetarja Esiona Konomi

Amendamentet e propozuara, synojnë shndërrimin e sistemit zgjedhor nga ai aktual që bazohet në sistemin proporcional me konkurrim rajonal me lista te mbyllura në një sistem i cili në vlerësimin e propozuesve, referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit. Për këtë qëllim amendamentet parashikojnë që detajimi aktual Kushtetues i konkurrimin rajonal me lista të mbyllura të hiqet nga Kushtetuta.Ai detajim sanksiononte lista të mbyllura dhe shprehja që formatonte sistemin u vendos në Kushtetutë megjithëse nuk e kish vendin aty, por sepse qëllimisht palët donin të mbyllnin me forcën e Kushtetutës çdo diskutim lidhur me listat e hapura.

Sistemi i propozuar është ai proporcional me konkurrim rajonal.

Kodi zgjedhor do të duhet që të bëjë më pas detajimin e sistemit të propozuar dhe identifikimin e sistemit për sa i takon listave të cilat duhet të jenë të hapura ose pjesërisht të hapura. Që kjo të ndodhë duhet që Kushtetuta ti paraprijë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, nëpërmjet garantimit për votuesit të të drejtës për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.

Në vlerësimin e propozuesve, kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, duhet të parashikojnë atë pjesë të listës që do të jetë e hapur.

Në vlerësimin e propozuesve:

sistemet me listat e hapura fuqizojnë votuesit duke i lejuar ata të zgjedhin kandidatët individualë të partisë sipas zgjedhjes së tyre duke votuar direkt për ta sesa për lista partiake të kandidatëve në tërësi;

fuqizimi i votuesit mund të zvogëlojë fuqinë e drejtuesve të partive për të imponuar kandidatët e paracaktuar në elektorat. Efekti i dëshiruar është që kandidatët të jenë më shumë të përgjegjshëm ndaj votuesit dhe më pak para drejtuesit të partisë;

Krahasimi midis sistemeve elektorale tregon një marrëdhënie pozitive midis listës së hapur dhe qeverisjes së mirë (antikorrupsionit).

Vendet më të zhvilluara demokratike kanë sisteme me lista të hapura ku votuesit mund të përzgjedhin kandidatët (Islanda, Letonia, Monako, Norvegjia dhe Zvicra); vendet me një sistem të hapur përzgjedhje d.m.th. ku votuesit mund të përziejnë kandidatët nga listat e partive të ndryshme (Lihtenshtajni, Luksemburgu, Monako dhe Zvicra) dhe vendet që përdorin sistemin me vota të vetme të transferueshme (Irlandë dhe Maltë);

Listat e hapura do të favorizojnë kandidatët më të kualifikuar duke qenë se përzgjedhja e tyre do të varet nga elektorati;

Listat e hapura favorizojnë programin e kandidatit dhe fushatën e këtij të fundit dhe që janë më të angazhuar me zonën dhe elektoratin ku do të kandidojnë

Amendamentet parashikojnë pragun 5% të votave të vlefshme, si kusht  për përfshirjen në shpërndarjen e mandateve për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe edhe për shkak të modelit të sistemit të propozuar Kushtetuta duhet të parashikojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

vijon…