Probleme me pasurinë, Komisioneri Publik ankimon vendimin për Anton Martinin

schedule19:13 - 10 Qershor, 2020

schedule 19:13 - 10 Qershor, 2020

Komisioneri Publik ankimon vendimin për Anton Martinin, i cili është kandidat për prokuror në SPAK.

Martini u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vettingut, por Komisioneri Publik e ka ankimuar vendimin në KPA duke gjetur mospërputhje të atyre çfarë deklaron Anton Martini nga ato që i janë gjetur, 3 dosje ku dyshon Komisioneri Publik si dhe disa denoncime.

KPK konfirmoi në detyrë në fund të janarit të këtij viti Anton Martinin, prokurorin e Krimeve të Rënda duke e nxjerrë të pastër por tashmë duket se çështja do vijojë në KPA.

Komisioneri Publik ka vlerësuar se Anton Martini ka probleme me deklarimin e pasurisë, ndaj ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Komisioneri Publik ka kërkuar:

“33. Konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e rivlerësimit, duke marrë për bazë gjendjen e fakteve dhe provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë;

34. Duke ritheksuar se Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, me qëllim që të garantojë mbrojtjen e interesit publik në procesin e rivlerësimit, duke vlerësuar në qoftë se vendimmarrja e Komisionit për konfirmimin ose shkarkimin e subjektit, ose ndërprerjen e procesit të rivlerësimit është marrë në përputhje me ligjin, në përfundim të një hetimi të plotë, mbështetur në faktet dhe provat e administruara për këtë qëllim;

36. Komisioneri Publik kërkon, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë:

– Ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini”, thuhet ne ankimin e Komisionerit Publik.

Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vettingut në të dy shkallët./abcnews.al