United nuk heq dorë nga Sancho, një juventin alternativa e yllit anglez

schedule13:19 - 10 Qershor, 2020

schedule 13:19 - 10 Qershor, 2020

Manchester United nuk e fiton titullin kampion prej vitit 2013. Vitet e fundit ka qenë të errëta për tifozët e “Djajve të Kuq” dhe drejtuesit nuk po presin më. Merkato e kësaj vere do të jetë e fuqishme, paratë nuk mungojnë dhe Ole Gunnar Solskjaer pret përforcime të rëndësishme. Një prej emrave që pëlqehen shumë është Jadon Sancho.

Ylli anglez po shkëlqen me Dortmund dhe klubi gjerman kërkon minimalisht 100 milion euro për ta lënë të lirë. Ai ka vendosur të largohet nga verdhezinjtë dhe dëshiron të nisë një aventurë të re në karrierë. Sport Bild raporton se United vazhdon negociatat me Dortmundin dhe po kërkon uljen e çmimit të lojtarit.

20-vjeçari është një “raketë” në krahun e djathtë të sulmit, driblon, dhuron asiste dhe shënon gola. Te United e duan të gjithë, por blerja e tij nuk do të jetë aspak e lehtë. Drejtuesit nuk duan të mbeten pa alternativa dhe kanë përgatitur planin B. Nëse nuk arrihet te Sancho, klubi anglez do të tentojë Federico Bernardeschin e Juventusit.

Mediet italiane raportojnë se 26-vjeçari italian, i cili numëron 4 gola të shënuar në 24 ndeshje me kombëtaren italiane, pëlqehet nga Solskjaer. Trajneri norvegjez e pëlqen dhe e sheh si një përforcim fantastik për repartin ofensiv. Vetë lojtari do ta pranonte pa hezitim një kalim në Premier League. Fakti që nuk është kthyer në një titullar fiks të bardhezinjve, do e shtyjë Bernardeschin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!