Deputeti socialist, Alket Hyseni, u shpjegua sot për herë të parë pëër akuzat e bëra gjatë ditëve të fundit nga opozita për përfitimin e 11 mijë metrave katrorë tokë të një familjeje në Dhërmi. Për këtë zgjodhi foltoren e sallës së Parlamentit, ku edhe në seancën e sotme, akuzat nuk munguan.
Siç ndodh rëndom në seancat parlamentare, debate më shumë prodhijnë tema jashtë rendit të ditës. Një prej tyre është deputeti Alket Hyseni. Prej disa ditësh Partia Demokratike i ka kërkuar që t’i japë përgjigje akuzave të ngritura nga një banore e dhërmiut se i ka vjedhur 11 mijë metra katrorë nga prona e saj në bregdet.
Më shumë se akuzë, ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi të zgjidhte qelinë deputetit Alket Hyseni.
Sali Berisha: “Ti e di ç’ke ti?! Shko zgjidhe vetë më mirë qelinë. Zgjidhe qelinë, se në fakt do të shkosh! Ta them se do të shkosh. Të them zgjidh qelinë, se hajdut tokash në detyrë si ti përveç Ramës nuk ka”.
Përgjigjen ish-kreut të qeverisë por për herë të parë deputeti Alket Hyseni vendos të sqarojë pozitën e tij përballë akuzave.
Alket Hyseni: “Deklaroj me përgjegjësi që akuzat janë thellësisht të pavërteta, por gënjeshtra me qëllime politike. Asnjë pasuri e imja nuk ka prejardhje të parregullt dhe të paligjshme. Rrjedh nga një familje njerëzish të drejtë e të ndershëm, që respektojnë shtetin dhe me këtë frymë më kanë kultivuar. Familja Bua nga Dhërmiu, që nuk e njoh, ka një konflikt të brendshëm prej shumë vitesh, për një pronë të lënë me trashëgimi. Konflikti ka lindur kur ka vdekur nëna dhe ka lidhje me testamentin e saj”.
Deputeti Hyseni pretendon se pronën e ka marrë me të ardhura të ligjshme./abcnews.al