Gjatë ditës së sotme në Sarandë dhe Vlorë është organizuar edhe një marshim kundër abuzimeve seksuale.
Ngjarja e fundit ku një i moshuar abuzoi me të miturën ka shkaktuar reagime masive të opinionit publik. Qytetarë nga vende të ndryshme kanë mbushur sheshet për t’i thënë jo pedofilisë.
Ngjarja e rëndë e përdhunimit të një 15-vjeçare nga roja i shkollës dhe tre të rinjtë të tjerë në periferi të Tiranës, ka sjellë reagime të forta qytetare dhe protesta në të gjithë vendin. Gjatë paradites së sotme një manifestim për ti thënë jo pedofilisë, përdhunimit dhe ngacmimeve seksuale u mbajt në hyrje të portës së kalasë në Elbasan. Pavarësisht shiut me pankarta në duar dhe mesazhe të shumta sensibilizuese, u kërkua forcimi i dënimit për abuzuesit.
Motoja edhe në Elbasan ishte “Për Fëmijërinë e Vjedhur”, ndërsa gra dhe vajza mbanin në duar pankarta. Njëzëri ato kërkuan të dënohen dhunuesit, madje shprehën dakordësinë e tyre që për raste të rënda të rikthehet dënimi me vdekje.
Por edhe më i veçantë ishte mesazhi i përcjellë nga një vogëlushe e cila shoqërohej në manifestim nga prindërit dhe vëllai i saj më i rritur.
“Nuk kemi nevojë për fjalë boshe, kemi nevojë për reagime të forta qytetare që sot ndoshta kanë një zë, por shumë të dobët”, u shpreh një qytetare.
Ajo që ra në sy në Elbasan në marshimin kundër abuzimit dhe mbrojtjen e viktimave ishte prezenca fare e ulët e burrave. Psikologia e pranishme në manifestim kërkoi denoncim të fenomenit, pasi abuzimi seksual është një shënjim i cili do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës personin e abuzuar.
“Impakti është shumë i gjerë , prek disa sfera. Ajo që duhet të kemi parasysh, është që jeta e një vajzë shënohet nga ky akt. Shoqëria duhet të jetë shumë e vëmendshme, të gjitha institucionet, mediat kanë një rol shumë të rëndësishëm. Të gjithë ne duke filluar që nga familja duhet të tregohemi të vëmendshëm”, u shpreh psikologia Elona Mustafaraj, ndërsa shtoi se abuzuesit, dhunuesit janë persona të afërt më fëmijët.
Sipas të pranishmëve në këtë luftë duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe për t’i thënë stop abuzimit, dhunës e përdhunimit dhe të gjithë duhet ta denoncojmë̈ këtë fenomen dhe jo të heshtim./abcnews.al