Më 20 nëntor të vitit 1947, Nako Spiru, në këtë kohë një nga krerët komunistë shqiptarë, në rrethana të errëta, vrau veten.
I vetëm kundër të gjithëve, përfshirë Enver Hoxhën, ai guxoi të kundërshtonte bashkimin ekonomik me Jugosllavinë, si hap i parë i përfshirjes së Shqipërisë në konfederatën e sllavëve të jugut.
Në postin e ministrit të Industrisë, kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit dhe kryetarit të Këshillit Ekonomik, Nako kundërshtoi deri në fund planin e madh të Josip Titos për “gëlltitjen” e Shqipërisë me bekimin e Josif Stalinit.
Porse kundërshtia që ai shfaqi dhe mbrojti deri në fund u përball me pakënaqësinë e Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, të shndërruar në marioneta frikacake të jugosllavëve, të cilët praktikisht e kontrollonin Partinë Komuniste të Shqipërisë përmes të dërguarve të tyre permanentë.
Kështu, duke e parë veten fare të vetëm në mbrojtjen e një kauze, në këtë rast kombëtare, duke parë se spiunët e Policisë Politike, që në këtë kohë drejtohej nga Koçi Xoxe, po e ndiqnin nga pas, duke mos gjetur asnjë rrugëzgjidhje dhe asnjë mbështetje, qoftë nga përfaqësia diplomatike sovjetike në Tiranë, Nako Spiru detyrohet të vrasë veten.
Kohë më pas, pasi do të hidhte nga supet peshën e rëndë të jugosllavëve, Enver Hoxha do thurte lavde për Nako Spirun, edhe pse arkivoli me trupin e tij do bënte xhiro të shpeshta nga Varrezat e Dëshmorëve në ato publike.
E ndërtuar hap pas hapi me ndihmën e dokumenteve ekskluzive, jo vetëm të arkivës së Ministrisë së Brendshme, por edhe të arkivave të huaja, emisioni Abc Story, do të sjell të shtunën në orën 22:00 historinë më të plotë të ndërtuar ndonjëherë për këtë ngjarje kyç në historinë e re të Shqipërisë./abcnews.al