Mbrëmjen e së premtes Këshilli Politik arriti pas shumë ditësh diskutime një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.
Për të folur rreth arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe për ndryshimin në Kodin Zgjedhor, i ftuar në Abc News ishte pasditen e së shtunës Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane.
Në bisedën në studio u fol për ndryshimet në proces, formulën e llogaritjes së votave, listat e hapura si dhe çështjet për të cilat opozita si duket lëshoi pe kur u arrit dakordësia.
Duke folur për qeverinë kujdestare dhe sistemin, Mediu sqaroi se këto dy çështje nuk janë lënë që të zbatohen për pas 5 vitesh, por në fakt do diskutohen që të jenë gati për zgjedhjet e vitit që vjen.
Mediu u shpreh: “Unë kam bindjen që ne duhet ta shikojmë sistemin, e para për rregull kushtetues, e dyta për funksionim demokratik dhe pjesëmarrje të qytetarëve. Por mbi të gjitha ka ardhur koha që ne duhet të krijojmë besimin tek shoqëria shqiptare se ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo krijohet vetëm nëpërmjet një qeverisjeje kujdestare.”
Mediu sqaroi se këto dy çështje janë lënë që do të diskutohen, pasi nuk mendon se opozita ka luksin për ta neglizhuar.
“Kjo është lënë për t’u diskutuar për këto zgjedhje. Edhe sistemi edhe çështja e qeverisë kujdestare nuk janë çështje të mbyllura. Ka kohë fizike. Nuk ka asnjë pengesë. Sepse qeverisa kujdestare është 100 ditë përpara zgjedhjeve,” u shpreh më tej kreu i PR duke shtuar se beson se do të realizohen për zgjedhjet e 2021.
Pas pesë vitesh, sqaron Mediu, vijnë ndryshimet për depolitizimin e administratës zgjedhore. Sipas tij, opozita shmangu një manipulim në tavolinë që mund t’i “lejonte mundësinë Ramës që të bënte si të donte.”
“ Qeverisja tranzitore është çështje në tavolinë për zgjedhjet që vijnë. Zgjedhjet e radhës, pra këto zgjedhje që do të vinë. Po ashtu edhe çështja e sistemit është akoma në tavolinë,” sqaroi Mediu.
Për krahasim, Fatmir Mediu sjell rastin e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se Shqipëria është me keq se ç’ishte shteti fqinj, dhe se ata arritën që të kishin një qeveri kujdestare.
Mediu: “Unë mendoj se ne jemi shumë më keq se kushtet që ka pasur Maqedonia përpara zgjedhjeve. Dhe Maqedonia arriti që të kishte një qeverisje kujdestare. Qasja e Maqedonisë për qeverinë kujdestare ishte një bashkëpunim politik për të ndërtuar standarde pozitive dhe institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve…Në këtë pikëpamje mendoj se edhe Shqipëria e ka mundësinë ta bëjë një gjë të tillë. E ka detyrimin për ta bërë një gjë të tillë. Pse? Do të bëhet vend anëtarë i BE.”
Duke iu referuar situatës, Mediu shtoi se nuk mendon se qytetarët shqiptarë meritojnë më pak se ata të Maqedonisë. Ai shtoi se ndërkombëtarët “duhet ta shohin këtë si një zgjidhje të qëndrueshme për Shqipërisë, për sa kohë e panë si zgjidhje të qëndrueshme për Maqedoninë e Veriut.” /abcnews.al/