Europol shkatërron grupin kriminal, mes të arrestuarve edhe shqiptarë

schedule18:30 - 27 Mars, 2018

schedule 18:30 - 27 Mars, 2018

Finalizimi i operacionit “Carambolas”, i realizuar nga Garda Civile spanjolle dhe Shërbimi Hetimor i Doganës gjermane, ka çuar në pranga 18 persona dhe në procedimin e 9 të tjerëve.

Operacioni, i mbështetur nga Europol, ka çmontuar një grup kriminal të organizuar të përfshirë në trafikun e drogës dhe aktivitete të tjera të paligjshme në mbarë BE-në. Gjithashtu, në kuadër të tij janë sekuestruar 1 ton marijuanë, 212 mijë euro para të thata, armë zjarri, municione dhe 8 automjete. Grupi kriminal trafikonte marijuanë nga Spanja drejt vendeve të tjera të BE-së, kryesisht në Gjermani, përmes një rrjeti celulash të vendosura në lokalitetet Malaga dhe Granada të Spanjës, që vepronin në bazë të urdhërave që vinin nga qyteti i Bremenit.

Rrjeti kriminal ishte i strukturuar në mënyrë të tillë që nëse një prej celulave të tij zbulohej nga policia ai sërish do të mund të vazhdonte furnizimin e tregjeve me drogë. Hetimi filloi qershorin e kaluar, pasi një shtetas gjerman, pjesëtar i grupit kriminal, u zbulua teksa blinte një sasi të konsiderueshme marijuane në jug të Spanjës. Faza e parë e operacionit ishte fokusuar në neutralizimin e dy fabrikave të marijuanës të zbuluara në jug të vendit iberik, ku u sekuestruan 100 kg marijuanë dhe 172 mijë euro para të thata. Asokohe, disa oficerë të Gardës Civile mbetën të plagosur teksa arrestonin të dyshuarit.

Anëtarët e grupit kriminal që kanë rënë tashmë në pranga dhe janë marrë në pyetje nga policia janë shtetas nga 8 vende të ndryshme si Kroacia, Gjermania, Spanja, Shqipëria, Armenia, Serbia, Siria dhe Turqia. Gjatë gjithë procesit hetimor, Europol ka mbështetur agjencitë policore me informacione dhe një sërë kontrollesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!