Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë ditën e sotme, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka bërë një deklaratë në kufijtë e skandalit.
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, duke komentuar ngjarjen ku efektivët e policisë që dhunuan 15-vjeçarin tek zona e Liqenit Artificial në Tiranë, tentoi ta justifikonte dhunën.
Pas pyetjes së bërë në komision, ai ka nxjerrë videon nga Facebook-u i nënës së të miturit e cila shfaqet me pistoletë në dorë, duke përdorur etiketime morale për familjen në fjalë, video e cila në fakt u përgënjeshtrua nga nëna e djalit.
Videoja sipas saj është shkëputur nga një film ku ajo ka qenë protagoniste.
Por sipas Veliut sjellja e nënës së djalit dhe familja nga ai vjen tregon shumë për prejardhjen e këtij fëmije dhe duhej trajtuar nga uniformat blu, ndërkohë nga ana e anëtarëve të këtij Komisioni nuk pati asnjë reagim.
Por çfarë ka ndodhur pas deklaratës së Veliut?
Bum komentesh janë lëshuar dhe i janë “përveshur” Drejtorit të Përgjithshëm.
Gazetarë, Politikanë por edhe qytetarë të shumtë e kanë cilësuar këtë deklaratë të padenjë dhe për më tepër skandaloze dhe të një mendësie komuniste.
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur deklaratën jashtë imagjinate ndërsa ish-ministri i brendshëm Flamur Noka e ka quajtur logjikë talebane.
Ndërsa gazetari dhe analisti Ylli Dylgjeri shkruan:
“Ardi Veliu sot i morri përsipër të gjithë barcaletat që kanë dalë për policin…Kjo është ti mbrosh shokët”.
/abcnews.al