Projektligji për përgjimet nga policia, edhe juristët kundër: Është antikushtetues, lë hapësirë për abuzime

schedule17:16 - 28 Maj, 2020

schedule 17:16 - 28 Maj, 2020

Ndryshimet në ligjin për policinë e shtetit janë bërë objekt debatesh të ashpra midis institucioneve.

Prokurori i përgjithshëm dhe SPAK, me anë të një oponence drejtuar Komisioneve Parlamentare që po merren me shqyrtimin e projektligjit, kanë theksuar se nuk është e nevojshme që të ndërhyhet në ligjin 108/2014, pasi tejkalon kompetencat e prokurorisë.

Ky projektligj ka hasur kundërshtime edhe nga juristët.

Të pyetur nga ABC News, disa prej tyre thanë se më këtë projektligj fuqizohet policia e shtetit dhe cënohet pavarësia e organeve të hetimit. Avokati Andi Duraj thotë se nëse përgjimet bëhen nga policia lihet shteg për abuzime.

“Kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Gjithashtu nëse përgjimet kryhen nga polica lihet shteg për abuzime”, tha Duraj.

Artan Murrizi thekson se nëse përgjimet kryhen nga policia mund të përdoren për shantazh.

“Përgjimet nga policia mund të pwrdoren pwr shantzh. Nëse përgjimi kryhet vetëm me iniciativën e policisë anashkalohen institucionet e krijuara së fundmi. Policia nuk e ka strukturën juridike për të bërë hetime”, thotë Murrizi.

Avokati Jordan Daci u shpreh për ABC News se ky projektligj është antikushtetues.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që  e ka cilësuar si antikushtetues dhe ka thënë se nuk mundet që i njëjti organ që bën ndjekjen penale të bëj edhe hetimin”.

Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK-u gjithashtu nuk mund të jenë pjesë e komitetit Anti-Krim në varësi të Ministrisë së Brendshme pasi janë organe të pavarura.

“Gjykata e Strasburgut e përcakton qartë se nuk mund të bësh përgjime telefonike por as gjurmim nëpërmjet valëve të celularit pa një vendim gjykate. SPAK-u mund të hetoj Ministrin e Brendshëm dhe s’ka si të japë llogari para Lleshajt”.

Përveç prokurorëve edhe gjyqtarët kanë paraqitur kontestimet për fuqizimin e  rolit të policisë në përgjime. Jashtë kameras disa prej tyre shprehen me ironi  duke thënë se tani do ti delegojmë policisë së shtetit edhe kompetenca gjykimi./abcnews.al