Mjeku Gjoni: Situata pozitive, përdorimi i maskave i domosdoshëm, ka filluar testimi serologjik në popullatë

schedule23:37 - 27 Maj, 2020

schedule 23:37 - 27 Maj, 2020

Mjeku Elson Gjoni i cili punon në një nga spitalet në Itali tregoi në emisionin “Byro Politike” me gazetaren Juli Xhokaxhi situatën epidemike në Itali. Gjoni tha se Italia prej ditësh tashmë ka një situatë pozitive që po e ruan dita ditës.

“Trendi në Itali duket se po vazhdon kurbën pozitive. Edhe pse Italia është duke u hapur komplet përsëri situata është pozitive. Ishte shumë i rëndësishëm sensibiliteti i popullatës. Në Itali mbahen maska edhe në ambientet të jashtme, është e detyrueshme në ambiente të mbyllura. Pra është e domosdoshme mbajtja e maskave. Situata në spitale është duke u normalizuar në lidhje me pacientët e koronavirusit. Në stafet mjekësore në spitalet në Itali nuk kemi patur të infektuar kohët e fundit, ka një mbrojtje shumë të madhe dhe fuqia e virusit është ulur, kjo pasi qarkullimi i tij është ulur“, tha mjeku.

Ndërkohë për sa i përket imunitetit Mjeku Gjoni tha:

“Nuk mund të themi se ka një imunitet popullata. Gjithsesi këtu ka laboratorë private, kanë filluar të bëhen testet serologjike në popullatë, ndërsa edhe gjithë personeli shëndetësor dhe trupat policore po e bën këtë lloj testi. Shumë ekspertë thonë se është e vështirë se do të kemi një valë të dytë kaq të fortë por edhe nëse do të ketë mendohet se do të jetë më e lehtë. Gjithsesi për të patur evidenca të larta dhe konkluzione duan kohë të studiohen”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!