Sekretari i çështjeve zgjedhore në PD, Ivi Kaso në studion e “ABC News” ka folur për Reformën Zgjedhore. I ndalur te qëndrimet e ambasadores Yuri Kim ai theksoi se opozita e bashkuar synon garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë për shqiptarët.
Gjithashtu ai theksoi se deklaratës së ambasadores për Reformën në Drejtësi i mungonte vetëm emri i kryeministrit. Kaso u shpreh se nga ky proces zgjedhor opozita e bashkuar do të dalë fitimtare me votë masive popullore.
“Cilido qoftë produkti i tryezës apo qëndrimi i mazhorancës, opozita e bashkuar do t’i qaset procesit zgjedhor me besim dhe garancinë e plotë që shqiptarët do të mund ta shprehin votën ashtu si parashikon Kushtetuta. Nga ky proces zgjedhor, opozita e bashkuar do të dalë fitimtare. Nuk ka për të fituar nga avantazhe të vogla të sistemit, por me një votë masive popullore”, tha Kaso.
Më tej ai theksoi se çdo propozim me standarde ndërkombëtare është i mirëpritur nga opozita. “Ne si opozitë e bashkuar nuk paragjykojmë asnjë propozim real që propozohen me standarde të mira ndërkombëtare”, tha Kaso.
Deklaratës së ambasadores amerikane në Shqipëri Yuri Kim për thashethemet për një marrëveshje për të vrarë Reformën në Drejtësi ai u shpreh se deklaratës i mungonte vetëm emri i kryeminsitrit Edi Rama.
“Ne e dimë fare mirë sot se cili është personi që dominon të gjitha pushtetet në Shqipëri. Deklaratës së Ambasadores Amerikane i mungonte vetëm një emër dhe mbiemër që është Edi Rama”, u shpreh ai.