Daniele Gastaldello,mbrojtësi veteran i Brescia, ka dalë qartazi kundër rinisjes së kampionatit në Itali. Ai argumenton mendimin e tij, duke theksuar se lojtarët po trajtohen sikur të ishin makineri dhe se nuk mund të luhet gjatë verës pasdite.
“Përfundimi i këtij kampionat është një sforcim. Të luash 12 ndeshje gjatë verës na ekspozon ndaj rreziqeve të jashtëzakonshme. Programimi i ndeshjeve në orën 16:30 përbën një skandal më vete. Ne nuk jemi makineri, jemi qenie njerëzore”, tha fillimisht Gastaldello, në një ndërhyrje telefonike me Radio Anch’io.
Më tej ai shton: “Në pjesën tjetër të Italisë as nuk e perceptojnë dot se çfarë ka ndodhur në Lombardi. Shumë njerëz më pyesin në rrugë se pse duhet të rifillojë futbollit përsëri. Shumë prej tyre kanë humbur njerëzit e dashur.
Për mendimin tim, ky kampionat fillon përsëri me detyrim dhe nuk do të jetë kurrë ai që përfundoi në mars”, ka përfunduar Daniele Gastaldello. Zona e Brescia është nga më të prekurat në Itali dhe numri i viktimave ka qenë i lartë. /abcnews.al