Të dielën kryeministri Edi Rama njoftoi se e diela pa makina do rikthehet në të gjithë vendin prej muajit tetor deri në mars të 2021. Edhe pse disa prej qytetarëve të Tiranës mbështesin vendimin e Ramës me argumentin se kjo ndikon në pastrimin e ajrit, ka dhe nga qytetarë që kundërshtojnë kreun e qeverisë.
“E mirë është. Tani do ketë dhe të mira dhe të këqija, por për mua është më mirë që fundjava pa makina, të paktën për një periudhë tranzitore”, shpreh një qytetar.
Ndërsa një tjetër qytetare nuk e ka parë si vendim të duhur ndërsa u shpreh: “Unë e shoh shumë negativ”.
Një tjetër qytetarë e ka mbështetur këtë vendim, ndërsa u shpreh për “ABC News” se ky vendim sipas saj ndikon në pastrimin e ajrit.
“Mirë është si thotë kryeministri. Mua më pëlqen se pastrohet ajri. Kemi qenë nobel gjithë këtë kohë, le të bëhet, s’ka asgjë të keqe”, u shpreh një tjetër qytetare.
Ndërkohë kundër këtij mendimi është shprehur një i moshuar i cili theksoi se nuk mund të ecin në këmbë dhe se sipas tij linjat urbane tashmë duhet të hapen.
“Pa makina? Por ne duam të lëvizim, përse të mos hapen urbanet? A mund të eci në këmbë unë?! Duhet të hapen edhe linjat urbane”, theksoi ai.
Por mesa duket ky vendim se nuk ndikon tek ata qytetarë që nuk kanë automjet. “Nuk kam makinë kështu që nuk ndikon”, u shpreh një qytetare.
Prej më shumë se dy muajsh qeveria vendosi që fundjava pa makina të ishte e detyrueshme për shkak të pandemisë së COVID-19./abcnews.al

