Timo Werner kaloi dje një pasdite fantastike. Ai shënoi tre herë në fitoren 0-5 kundër Mainz dhe ndihet shumë i lumtur. Po kaq herë kishte ndëshkuar edhe në fazën e parë këtë kundërshtar, ndeshje që u mbyll 8-0.
24-vjeçari ka arritur shifrën e 24 golave në kampionat dhe renditet i dyti pas Robert Lewandowskit (27 gola). Werner tregohet modest për Sky Sports dhe vlerëson marrjen e tre pikëve, që e rikthyen Leipzig në vend të tretë në renditje.
“Që në minutat e para u dallua që do të shkonte gjithçka në mënyrën e duhur. E rritëm menjëherë presion dhe nuk ju lejuam hapësira kundërshtarëve. Ia dolëm të ishim efikas në sulm, konkretizuam më shumë se në ndeshjen me Freiburg.
Jam shumë i kënaqur me tre golat e shënuar, por fitorja është gjëja më e rëndësishme. Kemi marrë disa kritika, por e dimë që jemi në rrugën e duhur“, deklaron ylli i Leipzig. /abcnews.al