Në Shkodër vazhdojnë evakuimet e banorëve nga Forcat e Ushtrisë, pasi situata nga përmbytjet është bërë edhe më e veshtirë. 157 banesa janë të izoluara nga uji, ndërsa rrezikohen edhe disa argjinatura.
Situata në Shkodër vijon të jetë e vështirë, ndërkohë që Forcat e Armatosura, dërguan në Dajç dhe në Obot 50 efektivë të ushtrisë.
Brenda kësaj të marte u evakuuan 20 banorë si dhe u transportuan 31 banorë dhe 65 krerë bagëti. Nga Tirana kanë shkuar për përforcim gjashtë mjete të tjera me kalueshmëri të lartë.
Bashkia dhe Ministria e Mbrojtjes, që po menaxhojnë situatën e krijuar nga përmbytjet prej më shumë se 2 javësh, raportojnë se 157 banesa janë të rrethuara nga uji, kurse 9 banesa janë të përmbytura. Në zonën e Livadeve në periferi të qytetit të Shkodrës në 40 shtëpi, uji u fut brenda.
Në periferi të qytetit, kampi i romëve pranë Prokurorisë Shkodër është i përmbytur. Bashkia e Shkodrës ka zhvendosur fëmijët në Qendrën Komunitare Nr. 4, kurse të rriturit u dërguan në strehimin e Bërdicës
Nga ana tjetër shihet një rrezik i argjinaturave dhe për këtë rreth 5000 thasë me rërë po përdoren për forcimin e tyre.
Në zonën e Nënshkodrës, sipërqafe të mëdha toke janë të përmbytura. Në Dajç janë mbi 940 ha nën ujë dhe është ndërhyrë në lartësimin e argjinaturës së Pentarit.
Në Anën e Malit, mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura dhe lëvizja bëhet vetëm me varka. Toka të mbuluara me ujë ka edhe në Bërdicë, Velipojë dhe Rrethina./abcnews.al