Shumë kampionate futbolli po rikthehen dhe kanë përcaktuar datat e rifillimit, ndërsa nuk mungojnë shtetet që kanë vendosur t’i pezullojnë këto sezone. Skuadrat qipriote kanë nisur pushimet dhe nuk do të rikthehen në fushë. Federata (CFA) ka marrë vendimin përfundimtar dhe ka pezulluar kampionatin.
Një takim i përbashkët u mbajt sot, aty ku morën pjesë klubet qipriote dhe autoritetet shtetërore. Protokolli sanitar i Federatës ndryshonte me kërkesat e grupit ekspert të mjekëve, dallime që u cilësuan si pengesë e pakapërcyeshme.
Të gjithë klubet morën pjesë në votimin për të ardhmen e sezonit. 18 vota ishin pro pezullimit, teksa vetëm dy ishin votat për rifillimin e kampionatit, konkretisht nga Anorthosis dhe AEK Larnaca.
Omonia Nicosia, Anorthosis, APOEL Nicosia dhe Apollon Limassol do të përfaqësojnë Qipron sezonin e ardhshëm në kompeticionet evropiane. Asnjë skuadër nuk do të rrëzohet nga kategoria, duke bërë që kampionati të jetë me 14 skuadra sezonin e ardhshëm, për t’u kthyer sërish me 12 skuadra në sezonin 2021/2022. /abcnews.al