Duka: Futbollin s’e luajmë dot online, nuk ndalet as po pati lojtarë të infektuar

schedule13:38 - 15 Maj, 2020

schedule 13:38 - 15 Maj, 2020

Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar datën tre qershor për rifillimin e kampionatit dhe tani pret një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në një intervistë të dhënë për “TV Dukagjini”, presidenti i FSHF, tregon se sa e gatshme është Federata Shqiptare e Futbollit të organizojë ndeshjet e mbetura teksa prej dy muajsh kampionati është ndërprerë. Më tej Duka analizon edhe arsyet pse futbolli duhet të rifillojë.

“Duke parë situatën, ku aktivitete po liberalizohen, u pa e arsyeshme që të rikthehet edhe aktiviteti sportiv. Nuk ishte një vendim vetëm i FSHF, por në bashkëpunim me autoritetet e pushtetit qendror, kryesisht me Ministrinë e Shëndetësisë. U propozuam atyre një protokoll rregullash që anëtarët tanë janë të detyruar ta zbatojnë”.

Çfarë ndodh me kampionatin nëse një lojtar pozitiv? Duka sqaron: “Urojmë të mos ndodhë, urojmë të mos i ndodhë asnjë qytetari e jo më një futbollisti. Agresiviteti ka rënë. Do marrim të gjitha masat, që edhe nëse ndodh, të mos përhapet, pra të respektojmë ato që kemi propozuar në protokoll dhe udhëzime dhëna nga ekspertët. Do testojmë nëse ka shenja. Nëse ndodh, kampionati do të nisë. Ai lojtar do të izolohet”.

Diçka është e qartë: “Nuk pretendojmë të kemi një kampionat siç ishte, apo futbollistët të kenë të njëjtin ritëm. Gjithsesi është mirë të rifillojmë, edhe për futbollistët që të mos e humbasin formën. Duhet menduar për karrierën e futbollistëve, apo edhe të fëmijëve që po formohen si lojtarë. Ndërprerja është e dëmshme. Duke menduar dëmin që shkaktohet, është mirë të kthehemi në fushë”, tha Duka mes të tjerash gjatë lidhjes direkte në emisionin “Dueli ditor”.

A kishte zëra kundër rifillimit të kampionatit? “Ka pasur ide që të mos rifillojmë, por asnjë nuk ka insistuar. Një lloj skepticizmi e kemi të gjithë, kemi një lloj frike. Gjithsesi duhet bërë një farë balance dhe e keqja më e madhe është nëse nuk rikthehet futbollit. Fatmirësisht nuk kemi pasur raste dhe urojmë të mos na ndodhë”.

“Virusi nuk është zhdukur dhe mendohet se nuk do të zhduket as vitin tjetër, ndaj duhet të mendojmë për të ardhmen e futbollit dhe jetës. Ndoshta gjërat e tjera mund të zgjidhen online, por futbolli është aktivitet fizik dhe është e pamundur të bëhet sikur po bëjmë intervistën”, shton Duka gjatë lidhjes direkte.

Në fund një koment për projektin e përbashkët me Kosovën që do të unifikonte një kupë mbarëkombëtare në trojet shqiptare.  “Një nga dëmet kryesore të Koronavirusit ka qenë edhe projekti ynë i përbashkët për të pasur një kupë mbarëkombëtare. E kemi bërë projektin në letër dhe në momentin që do e prezantonim ndodhi kjo që ndodhi.

Nuk mjafton vetëm dakordësia e federatave. Kërkesa në FIFA e UEFA është bërë, por kërkon edhe mbështetje financiare nga qeveritë dhe ndoshta edhe më gjerë. Uroj ta realizojë edicionin e ardhshëm, normalisht pasi FIFA e UEFA ta miratojnë. Kupa mbarëkombëtare është një hap pozitiv për t’u afruar më shumë në futboll dhe më gjerë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!