Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se vendi po përballet me dy sfida, krizën politike dhe kushtetuese si dhe sfidës ekonomike e cila ka bërë që 65 000 persona të humbasin punën.
Gjatë një takimi online për situatën ligjore dhe ekonomike në Shqipëri, ku merrnin pjesë përfaqësues nga USA, Franca dhe Shqipëria, ai tha rruga e daljes është restaurimi i institucioneve demokratike përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Dua të falenderoj SHBA për ofrimin e testeve për Covid-in duke qenë se qeveria nuk bëri mjaftueshëm teste. Dua të theksoj dy sfida me të cilat po përballemi në Shqipëri.
Sfida e parë është kriza politike dhe kushtetuese. Kjo krizë i ka rrënjët në zgjedhjet e manipuluara të 2017-ës. Me një pushtet i cili ka çrregulluar edhe përpjekjet euroatlantike për një reforme reale në drejtësi.
Së dyti vjen sfida ekonomike. Buxheti i shqiptarëve ka shkuar kryesisht në 2 rrugë harxhimesh. Programi i parë është ai i fasadave buzëkuq i quajtur “Rilindja Urbane” në një vend me papunësi të madhe dhe varfëri të skajshme. Rruga tjetër është rrjedhja e parave përmes pseudoprogrameve të konsideruara gabimisht si PPP.
Shqipëria ka humbur 10 herë më tepër vende pune sesa Maqedonia e Veriut. Bëhet fjalë për rreth 65000 vende pune përfundimisht dhe po kaq vende pune përkohësisht.
Korrupsioni është endemik, një sondazh i ditëve të fundit nga NDI ka treguar se 85% e popullit beson se vendi është thellësisht i korruptuar. Rruga e daljes është restaurimi i institucioneve demokratike dhe gjyqësorit të lirë, medias së lirë, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu theksoi gjatë fjalës së tij se mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë ka shtuar korrupsionin, abuzimin e qeverisë dhe cenimin e të drejtave të qytetarëve.
Ai tha se pandemia është shfrytëzuar për të frikësuar qytetarët dhe për të rritur kontrollin ndaj tyre dhe ndaj ekonomisë.
“Sot në Shqipëri kemi rastin e një regjimi jo kushtetues, me mazhorancë absolute, në duart e një njeriu Edi Rama. Kur ne mbyllëm qeverisjen e mëparshme, vendi ishte një anëtar i ri por krenar dhe i dedikuar në NATO. Kur Rama erdhi në pushtet, ai deklaroi se çdo gjë do të nisë nga 0.
Të gjithë kemi qene për Reformën në Drejtësi për një drejtësi te pavarur. Veprimet e njëanshme të rilindjes duke prishur konsensusin u bene me qellim qe të kontrollojnë gjyqësorin. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë ka shtuar korrupsionin, abuzimin e qeverise dhe cenimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve
Shqipëria është një vend me institucione të dobëta, korrupsion të madh dhe ndikim të krimit të organizuar. Sipas BERZH Shqipëria do të përballet me në një krizë të thellë ekonomike dhe GDP do ulet në mënyrë të ndjeshme duke shtuar papunësinë dhe varfërinë në vend. Sot nuk kemi shtet as tre pushtete siç parashikon kushtetuta por qeverinë nën urdhrat e një njeriu.
Pandemia është shfrytëzuar për te frikësuar qytetaret dhe për të rritur kontrollin mbi qytetaret dhe ekonominë. Ky është shembulli sesi liderët autoritarë i uzurpojnë pushtetet dhe liritë. Varfëria sjell frikë, frika sjell apati sociale dhe demokracia zbehet. Rruga për kapërcimin e kësaj situate është rikthimi I besimit të qytetarëve të shteti dhe liritë e tyre.
Opozita duhet të jete krenare për historinë e saj te qëndrimit kundër komunizmit, te perballjes dhe ndryshimit te sistemit diktatorial, ndërtimit te demokracisë, ekonomisë së tregut, afrimit me bashkimin Europian dhe anëtarësimit në NATO. Ajo duhet të vlerësoj të gjitha kontributet njerëzore te historisë së saj dhe t’i bejë pjesë të vendimarrjes së saj politike dhe elektorale”, përmbylli Mediu.
Drejtori i Programit Columbia në Universitetin e New York-ut David Philips thotë se Covid-19 është përdorur si një mënyrë për të kufizuar liritë shoqërore. Ai u shpreh se PD ka dhënë kontribute që duhet të mirëpriten nga qeveria.
Philips theksoi se 15 kushtet e vendosura nga BE tregojnë qartësisht sa larg standardeve demokratike dhe vlerave europiane është Shqipëria, duke cilësuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
“Covid është përdorur si një mënyrë për të kufizuar liritë shoqërore. PD ka dhënë kontribute që duhet të mirëpriten nga qeveria. Shqipëria ka probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ka probleme me manipulimin e zgjedhjeve. 15 kushtet e vendosura nga BE tregojne qartësisht SE sa larg standardeve demokratike dhe vlerave Europiane është Shqipëria”, tha David Philips.
“Sot bota po kalon një krizë besimi. Sistemet tona shëndetësore na kanë lënë në baltë. Menaxhimi ekonomik i pandemisë ka qenë i keq kudo por veçanërisht në Shqipëri dhe rajon. Pyetja është, a do të realizojnë dot qeveritë një tranzicioni daljeje nga pandemia në mënyrë që të ruhen edhe liritë tona themelore?”, thotë Philips.
Juristi Jordan Daci deklaroi se në Shqipëri në ekziston sundimi i ligjit për shkak se mungon balanca e pushteteve, duke sjellë në vëmendje lëvizjen e mazhorancës për të mos propozuar më draft-ligje në parlament, por i çon akte normative të gatshme.
“Sot në Shqipëri nuk ekziston sundimi i ligjit për shkak se nuk ekziston balanca e pushteteve. Së fundmi mazhoranca ka vendosur që të mos propozojë më draft-ligje në parlament, por i çon parlamentit akte normative të gatshme, dhe parlamenti vetëm i voton pa i diskutuar dhe pa transparencë me publikun.
Shumë akte normative të qeverisë kanë hyrë në fuqi javë përpara se të botoheshin për publikun”, deklaroi Daci./abcnews.al