Tre shqiptarë në Angli janë arrestuar nga policia për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike. Gjatë muajit shkurt janë identifikuar nga një patrullë policie, e cila gjatë kontrollit të zonës, në Gateshead të Newcastle zbuloi magazinë si pasojë e erës së fortë të kanabisit.
Mësohet se tre shqiptarët kultivonin drogë në një magazinë, “me një hapësirë që krahasohet me një fushë futbolli”. Droga e sekuestruar kap shifrën e 820.000 dollarëve.
Gjatë operacionit u arrestuan Fatbardh Selimi 42 vjeç, Fatlum Alija 27-vjeç dhe Agim Isufi 19-vjeç. Ndërkohë mendohet se tre shqiptarët jetonin në këtë zonë ku realizonin edhe kultivimin e lëndës narkotike.
Tre personat janë paraqitur në Gjykatë ditën e mërkurë me akuzën se prodhonin drogë të klasit B.
Fatbardh Selimi 42 vjeç, Fatlum Alija 27-vjeç u dënuan me dy vite burg, ndërsa 19-vjeçari Agim Isufi u dërgua në një institut ku do të qëndrojë për 20 muaj.