Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi deklaroi para mediave se Reforma Zgjedhore duhet të përfundojë brenda datës 31 maj.
Bylykbashi theksoi se mbyllja në këtë datë është objektiv i opozitës, ndërsa kërkoi më shumë vullnet nga mazhoranca, që sipas tij nuk ka treguar.
“Në këtë mbledhje të sotme u përcaktua që këshilli duhet ta mbyllë këtë reformë brenda datës 31 maj. Pa humbur kohë kjo reformë të shkojë drejt përmbylljes së një drafti. Ne ngulëm këmbë që para se të vazhdojmë të ecim më tutje duhet të jetë i qartë cili është vullneti politik i mazhorancës. Ajo që është e rëndësishme është se ne do të qëndrojmë fort nevojës për të gjetur zgjidhje konsensuale dhe brenda 31 majit reforma të mbyllet”, tha ai.
Bylykbashi iu përgjigj edhe deklaratave të Damian Gjiknurit, i cili më herët sot tha se opozita u është rikthyer çështjeve të tjera. Sipas demokratit, se është mazhoranca ajo që nuk ka dhënë asnjë përgjigje për çështjet e shtruara.
LEXO EDHE: Përfundon mbledhja e Këshillit Politik, Gjiknuri: Brenda majit mbyllet Reforma Zgjedhore
“Deklaratat e Gjiknurit tregojnë mungesën e vullnetit nga mazhoranca. Opozita kërkon shprehjen e qartë nga ana e mazhorancës, cili është objektivi i saj. Ne nuk i rikthehemi asnjë çështje, i kemi mbi tryezë. Është mazhoranca që nuk ka dhënë asnjë përgjigje për çështjet e shtruara”, tha ai. /abcnews.al