Luftëtari në kaos, ndërkohë që edhe Bashkia Gjirokastër e ka braktisur, edhe pse është bashkëpronare me 25% të aksioneve. Bluzinjtë kanë pritur që bashkia të kontribuojë me pjesën e vet, por kjo nuk ka ndodhur. Në vitin 2019 madje ka pasur edhe një gjyq dhe përfundimi ishte që në arkat e klubit të shkonin 57 milion lekë, nga bashkia.
Kjo shumë nuk është shlyer, ndërkohë që “Panorama Sport” shkruan se 57 milion bashkia ia ka klubit edhe për vitin 2018 dhe deri më tani kanë kaluar vetëm 10 milion. Për të mos mjaftuar paratë e padhëna, në artikullin e të përditshmes sportive raportohet edhe për të tjera absurditete.
“Mungesa totale e mbështetjes nga bashkia të klubit në këtë moment kritik ka prekur edhe stadiumin e qytetit, që ka një kapacitet prej 9 mijë vendesh dhe Luftëtari luan aty që prej viteve ’70. Gazeta zbulon se bashkia ka urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me ujë të stadiumit, duke shtangur drejtuesit e klubit.
Por, nga ana tjetër, është zbuluar gjithashtu edhe fakti se në borderonë e administrimit të stadiumit figurojnë 10 punëtorë që marrin pagë nga bashkia, por që çuditërisht nuk paraqiten në punë”, thuhet mes të tjerash në artikullin e botuar në numrin e sotëm të gazetës së lartpërmendur. /abcnews.al