Frank Lampard nuk e ka mendjen vetëm te futbolli, stërvitja, ndeshjet, rifillimi i kampionatit dhe merkato. Trajneri i Chelsea ka pranuar për BT Sport se është dakord për bërjen e testeve të koronavirusit përpara seancave stërvitore, por me një kusht.
“Kur flasim për teste dhe tampone përpara nisjes së stërvitjeve, duhet të kemi parasysh faktin që rreth 70-80 njerëz do të bëjnë kontrolle. Nëse do i bëjmë rregullisht, për mua nuk ka asnjë problem. Por, unë do doja të dija sesa teste janë kryer për profesionistët e kujdesit shëndetësor.
Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në dy muajt e fundit dhe nuk do të isha i lumtur nëse trajtohen ndryshe. Jam dakord që të bëjmë tamponet, por dua që në fillim të sigurohen të gjithë ata që po luftojnë në vijën e parë të frontit”, deklaron Lampard. /abcnews.al