Frank Lampard i ka dhënë një frymë tjetër ekipit të Chelsea. Pasi Sarri u largua pas vetëm 12 muajsh, Lampard mori drejtimin e klubit të tij të zemrës, aty ku si futbollist u shndërrua në legjendë të futbollit anglez.
Edhe pse me shumë lojtarë të rinj dhe me bllokim merkato, Lampard ka arritur ta mbajë Chelsean në vendet e para të renditjes dhe është ekipi favorit për të siguruar vendin e katërt në Premier dhe për t’u kualifikuar në Champions League.
E gjithë kjo arritje, edhe pa prezencën e kampionit të botës, N’Golo Kante, që ka vuajtur nga dëmtime të shumta këtë edicion futbollistik. Shumë flisnin se Kante i ka lënë vitet më të mira pas dhe do të largohet nga Blutë e Londrës, por Lampard, ka sqaruar gjithçka, duke thënë se francezi do të qëndrojë në ‘Stamford Bridge’.
“Kante ka katër apo pesë sezone që po fiton gjithçka si futbollist. Është një ndër mesfushorët më të mirë në botë, edhe pse këtë sezon nuk ka luajtur as 40% të ndeshjeve. Ka qenë një humbje shumë e madhe për ne. E ardhmja? Asgjë për të diskutuar, ne po e presim me padurim të rikthehet në formën më të mirë të mundshme dhe të na ndihmojë ta drejtojmë klubin përpara”, u shpreh Lampard./abcnews.al