Duhej të ishte festë, një fundjavë e pritur që prej 35 vjetësh. Formula 1 do të kthehej në Holandë pas një mungese tepër të gjatë, por epidemia botërore e virusit bëri që kjo të mos ndodhte.
Një mëkat i vërtetë, por dy pilotët e Red Bullit, Max Verstappen dhe Alex Albon, gjetën një mënyrë origjinale për të kujtuar se pikërisht sot duhej të mbahej Çmimi i Madh i Holandës.
Ata bënë një garë dhe një udhëtim nëpër rrugët e shtetit të Vendeve të Ulëta, përfshi edhe duke kaluar pranë mullinjve të famshëm të erës, fushave me tulipanë pranë Roterdamit, por edhe plazheve të Hagës.
Verstappen është holandez dhe ai e ndjen më shumë se të tjerët dështimin e kthimit të Formula 1 në vendin e tij. Dy pilotët e skuadrës austriake u nisën nga porti i Roterdamit, njëri nga më të mëdhenjtë e botës, për të vazhduar itinerarin në vendin fushor të Europës Perëndimore, të njohur si një nga më të zhvilluarit e më të lulëzuarit prej shumë shekujve.
Jo gjithçka shkoi vaj, pasi nëpër rrugët tradicionale të ngushta pati mjete të rënda transporti, që i penguan. Udhëtimi ishte një reklamë e vërtetë për Holandën, që eksporton mbi 12 miliardë lule në vit, ku spikasin tulipanët e famshëm.
Nuk mund të mungonte kalimi nëpër qytetet e qetë, me ndërtesa e urbanistikë tipike, me piktura të varur në mure, dhe ku duhej të respektonin biçikletat.
Holanda ka plot 22 milionë biçikleta e gjysmë, ndonëse numri i banorëve është vetëm 14 milionë. Dy makinat Red Bull të Verstappeni dhe Albon nuk harruan plazhet e vendit të vogël, me re dhe ngjyrë gri, por gjithsesi breg deti. Ata kaluan në brigjet e Hagës, ndërsa Holanda është e famshme për truallin që I ka marrë detit.
Rrugëtimi përfundoi në pistën e Zandvortit në veri të vendit. Çmimi i Madh i Holandës është mbajtur nga 1948 deri në 1985 dhe tashmë do të rikthehet, por besohet vitin e ardhshëm./abcnews.al
VIDEO E PILOTIMIT – Pamjet e dy makinave Red Bull

