Interi i ka idetë e qarta për përforcimin e mbrojtjes. Antonio Conte pret përforcime dhe dy janë të përzgjedhurit: Marash Kumbulla dhe Jan Vertonghen, e ardhmja dhe eksperienca. Gazzetta dello Sport raporton se zikaltrit kanë nisur ofensivën për të arritur akordet finale.
Shqiptari i Veronës pëlqehet prej kohësh, por gara për të është shumë e fortë. Shumë klube e pëlqejnë djaloshin 20-vjeçar. Jose Mourinho po tenton ta transferojë në Londër te Tottenham. Të njëjtën gjë dëshiron edhe Carlo Ancelotti, i cili e sheh si përforcimin ideal për mbrojtjen e Evertonit.
Interesimi nga Premier League ka ndikuar që kartoni i mbrojtësit të Shqipërisë të arrijë shifrën e 30 milion eurove. Gjithsesi, ai preferon kalimin tek Interi dhe ky është avantazhi i madh i zikaltërve, të cilët kanë marrëdhënie pozitive me Veronën.
Në “San Siro” pritet të zbarkojë edhe Jan Vertonghen. 33-vjeçari belg del lojtar i lirë në fund të këtij sezoni. Ai pëlqehet në Spanjë, por Eriksen dhe Lukaku, të cilët kanë luajtur me të te Tottenham dhe Belgjika, po tentojnë ta bindin të zgjedhë kalimin në Serie A tek Interi. /abcnews.al