EKSKLUZIVE/ Objektivi ishte Besmiri, si u zbulua grupi i “killerave” që ekzekutuan 4 persona brenda dy muajve

schedule14:39 - 1 Maj, 2020

schedule 14:39 - 1 Maj, 2020

Policia ka arrestuar autorët e dyshuar të katër vrasjeve të bujshme gjatë dy muajve të fundit në Durrës, përfshi atë të vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në zonën e njohur si tregu i makinave.

Paraditen e sotme u njoftua arrestimi i Altin Ndocit 33 vjeçar nga Tirana si edhe të një 22 vjeçari me banim në Durrës.

Krahas vëllezërve Haxhia, ata dyshohet se ekzekutuan në dy mars edhe Dorjan Shkozën me Anxhelo Avdian në zonën e njohur si “Nishtulla” në Durrës.

Operacioni për arrestimin e tyre u mbështet nga RENEA dhe FNSH, ndërsa policia njofton se ka sekuestruar edhe tre automatikë që dyshohet se u përdorën për ekzekutimin e dy vëllezërve.

Ndërkohë, siç raporton gazetarja Xhensila Kodra për abcnews.al, policia ka zbuluar se kanë qenë katër persona që morën pjesë në ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës. Dy prej tyre janë arrestuar dhe dy të tjerë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Tre prej pjesëmarrësve kanë qëlluar me kallashnikov ndaj vëllezërve Haxhia, ku objektivi i tyre ishte Besimiri.

Policia dyshon se shkak për vrasjen është prishja e pazareve në trafiqë.

Të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim nga policia që në vrasjen e marsit në Durrës, ndërsa janë zbuluar sëfundmi nga gjurmët e gishtave dhe të dhënat e ADN-së të gjetura tek makina e braktisur prej tyre. /abcnews.al