Kryetari i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, pas mbërritjes në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ashtu siç ishte thënë më herët, u nis drejt shtëpisë së tij, në Hajvali.
Pritej që Pacoll të futej në izolim në konvikt, te Qendra e Studentëve, në Prishtinë, ndërsa ai vetë u shpreh se nuk e dinte se çfarë do të ndodhte me të.
“Nuk e di cka do të ndodhë me mua, nuk e di nëse do të vendosem në konvikt apo në Hajvali”, u shpreh Pacolli më herët duke shtuar se “di po aq sa dini edhe ju.”
Kreu i AKR-së tha gjithashtu se teksa po kthehej në Kosovë, ndryshoi destinacion pasi kishte pasur frikën e ndonjë sulmi terrorist.
Pacolli u shpreh:
“Leja ime e fluturimit njëherë është anulu. Është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera, kinse në dhënien e lejes duhet involvuar disa ministri vitale të Kosovës. Unë fluturoj me një fluturake, unë herën e parë jam frikësuar nga institucionet e shtetit se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në mua, andaj kam ndryshuar destinacion.”
Gjatë fjalës para gazetarëve, Pacolli është shprehur gjithashtu se nuk i kanë pëlqyer deklaratat e ministrit të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla lidhur me arrestimin e tij nëse hyn në mënyrë ilegale në Kosovë.
Kreu i AKR-së u shpreh:
“Nuk më ka pëlqyer deklaratat e ushtruesit të detyrës së Punëve të Brendshme, e cila ka qenë e transmetuar në të gjitha televizionet ballkanike dhe në Serbi se nëse Pacolli do të gjendet në territorin e Kosovës, do të arrestohet. Unë nuk jam kriminel, e dua këtë vend dhe gjithë punën e bëj me vullnet.” /abcnews.al/