Lenjani: Jemi liruar pas largimit të Panuccit! Kalimi te Tirana? Pse jo…

schedule17:18 - 30 Prill, 2020

schedule 17:18 - 30 Prill, 2020

Ermir Lenjani nuk e mohon një transferim në Kategorinë Superiore. 30-vjeçari nga Prishtina është pjesë e Sion në Zvicër dhe në të ardhmen mund ta shohim me ngjyrat bardheblu të Tiranës mbi supe.

Anësori i majtë i kombëtares ndalet edhe te Christian Panucci në prononcimin e dhënë për “Fan Zone” në Supersport. Ish-trajnerin e kombëtares nuk e vlerëson në aspektin njerëzor, nuk e harron kurrë golin ndaj Danimarkës dhe e mbyll me ndeshjen e 14 tetorit të vitit 2014 kundër Serbisë në Beograd.

SION – “Kemi një president me të vërtetë të çmendur te Sion. Kur vendosi të na largojë, u bë e madhe në Zvicër. Tashmë ka vendosur të na rikthejë katër prej nesh, ndërsa pesë të tjerët akoma jo”.

TIRANA – “Mbyllja e karrierës te Tirana? Nuk i dihet ku do e mbyll karrierën. Nëse ka diçka shumë serioze, atëherë mund të kaloja edhe te Tirana. Nuk i dihet për të ardhmen, nëse mbyll kontratën këtu apo mund të shikoj për një ekip tjetër. Goli ndaj Danimarkës? Normal kur shënon ndjen një emocion i veçantë, që kur e mendon të dridhet trupi”.

PANUCCI – ”Të gjithë lojtarët kur vijmë tani në Kombëtare, jemi më të lirshëm se sa kur ishim me Panuccin. Me të nuk isha vetëm unë që kisha probleme, të gjithë lojtarët ishin të pakënaqur. Nuk dua të flas keq për të tani, pasi si lojtar ka qenë i mirë, por mua nuk më pëlqen si karakter”.

SERBIA – “Ndaj Serbisë ishte ndeshje e veçantë, ndërsa ne mundoheshim të mbronim vetëm flamurin. Ivanovic erdhi direkt te ne dhe kërkoi falje. Por me atë që pamë në fushë, ne nuk mund t’i besonim ata dhe të ktheheshim sërish në fushë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!