FSHF ka kërkuar zyrtarisht që kampionatet e futbollit në vendin tonë të nisin më 20 ose 24 maj. Sigurisht përgatitjet duhet të nisin më parë, në fillim të muajit maj, por ende nuk ka një përgjigje. Klubet e Superiores, një pjesë e tyre, nuk presin vetëm “OK”-in për stërvitjen, pasi ka edhe një tjetër problem.
Vllaznia, Teuta, Kukësi, Partizani e Skënderbeu kanë futbollistë që janë larguar jashtë territorit të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por ka edhe raste si i Shkurtajt dhe Kouros. Sulmuesi ishte në Spanjë, kurse mbrojtësi ndodhet në Gjermani.
Nëse ata kthehen, rregullat e vendosura nga autoritetet janë të qarta: 14 ditë izolim për këdo që kalon kufirin. Nëse kjo ndodh, atëherë një pjesë e futbollistëve të këtyre ekipeve nuk do të mund të stërviten dhe normalisht është një problem i madh.
Kështu, do të duhet të bëhej një përjashtim për futbollistët, që sigurisht nuk do të pritej mirë nga njerëzit e thjeshtë që janë izoluar nëpër hotele pas riatdhesimit. Gjithçka është në dorë të autoriteteve./abcnews.al