FSHF ka njoftuar se “Air Albania Stadium” është përzgjedhur për të marrë çmimin Big SEE Architecture Award 2020. Qeveria e futbollit në vend e ka njoftuar diçka të tillë përmes një postimi të bërë në sajtin zyrtar.
“Air Albania Stadium, investimi më i madh në historinë e sportit shqiptar, vazhdon të prodhojë lajm edhe pas inaugurimit të tij në 17 Nëntor 2019, me ndeshjen kundër Francës, kampione të botës. Ky investim i Federatës Shqiptare të Futbollit është përzgjedhur për të marrë çmimin Big SEE Architecture Award 2020 dhe për më tepër është nominuar edhe si projekti më i mirë (Grand Prix) në kategorinë publike.
Fituesit e Big SEE Architecture Award do të vlerësohen në festivalin e madh të arkitekturës që do të zhvillohet më datë 16 Tetor 2020 në Qytetin e Dizajnit në Lubjanë të Sllovenisë.
Në këtë festival të gjithë projektet do të ekspozohen për të pranishmit nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Qipro, Republika Çeke, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali Zi, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.
Qëllimi i Big SEE Architecture është ai për të forcuar suksesin dhe atraktivitetin e Europës Juglindore nëpërmjet kërkimit, vlerësimit dhe promovimit të mrekullive arkitektonike që kanë këto vende”, shkruhet në artikullin e botuar në fshf.org. /abcnews.al