Me emërimet në dikasteret kyçe, qeveria gjermane po shkon drejt formimit dhe pritet të jetë gati të dielën, kur do të bëhet betimi. Ndërkohë, konservatorët e Merkel kanë kritikuar kancelaren për lëshimin e ministrisë së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë.
Social-demokratët në Gjermani kanë emëruar këtë të premte dy politikanë të hershëm në postet kyçe të qeverisë së re. Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Olaf Sholc do të jetë ministri i ekonomisë më të madhe në Europë dhe Hajko Mas, ministër i Jashtëm. Lideri i komanduar i SPD-së, Andrea Nahles dhe vetë Sholc njoftuan emërimet në 6 ministri në një konferencë për shtyp.
Mas, që ka qenë ministër i Drejtësisë, do të zëvendësojë Sigmar Gabriel në krye të diplomacisë gjermane. Të dielën e kaluar dy të tretat e anëtarësisë së SPD-së votuan në favor të koalicionit të madh me konservatorët e kancelares Angela Merkel, që do të hyjë në mandatin e katërt të qeverisjes së vendit.
Ndërkohë, qeveria e re do të betohet më 14 Mars. Nahles tha se Sholc, 59 vjeç, me profesion avokat e që mbështet integrimin europian, do të jetë njëkohësisht edhe zëvendës kancelar. Por ndërkohë, konservatorët e Merkel janë të dëshpëruar për faktin se ajo u dha social-demokratëve dikasterin e financave, pas 8 vjet kontroll nga Volfgang Shojble, i njohur për insistimin e tij për zbatimin e masave anti-krizë në vendet e mbytura në borxhe të zonës euro.
Ndryshe nga konservatorët, SPD në përgjithësi mbështet rritjen e shpenzimeve publike. Por dy palët kanë rënë dakord që t’i përmbahen qëllimit për një buxhet të balancuar, pa borxh të ri./abcnews.al