Shëndeti i zemrës, mjeku kardiolog për Abc News: Aktiviteti kryesor gjatë karantinës

schedule10:53 - 24 Prill, 2020

schedule 10:53 - 24 Prill, 2020

Prej më shumë se një muaji tashmë, të moshuarit ndodhen të mbyllur nëpër banesa, si një masë “ekstreme” për të ruajtur shëndetin nga koronavirusi. Por, ky izolim ka bërë që edhe aktiviteti fizik për të moshuarit dhe jo vetëm të jetë i pakët ose të mungojë fare.

Për këtë arsye, në një intervistë me Abc News, mjeku kardiolog Leonidha Pepo këshilloi që të gjithë pa përjashtim duhet t’i krijojnë mundësi vetes për t’u ushtruar. Ai sygjeroi që të merren shkallët në vend të ashensorit dhe trupi të vihet në lëvizje, pasi në këtë mënyrë ruani shëndetin e zemrës, trupit dhe trurit.

Leonidha Pepo këshillon:

“Në mënyrë fiziologjike, të natyrshme, duhet që këta ta mbajnë musklaturën dhe tendinet, frymëmarrjen sidomos. Pozicioni shtrirë jo e jo, sepse të moshuarit rrezikohen nga tromboza në mushkëri, në këmbë në tru. Prandaj lipset që të bëjnë lëvizje. Dje, fatmirësisht na kishin dëgjuar në emisionin tuaj, këshillat që dhamë dhe lëvizjet do i bëjnë pavarësisht se janë të mbyllur në shtëpi. Të ngjisin shkallët nëpër pallate, të kenë vullnet dhe dëshirën e mirë që t’u shtohet entuziazmi. Dhe, për këtë arsye do kenë një jetë më cilësore, të paktën nga ana muskulare, mushkëritë dhe rrahjet e zemrës.”

Pepo shtoi gjithashtu se të moshuarit sidomos duhet të bëjnë ushtrime për të ushqyer trurin me gjak, në mënyrë që të jenë edhe më të kthjellët nga ana mendore, dhe njëkohësisht të jenë të aftë për jetën e tyre personale.

Ndërsa, sa i përket moshave më të reja, apo atyre që janë marrë me sport dhe tani nuk munden, këshilla e kardiologut mbetet e njëjtë, duhet të improvizojnë në mënyrë që të vënë në lëvizje trupin. Ai këshillon që në vend të makinës, të shkojnë në punë me këmbë.

Leonidha Pepo: “Sigurisht lëvizja, është lëvizje dhe duhet bërë patjetër. Këta lloj njerëzish të shkojnë nëpër punra, të lëvizin pa makina, me biçikletë po. Të shkojnë në punë me këmbë. Kur s’kanë cfarë të bëjnë, kur duhet të lëvizin me makinë, sa më pak të jetë e mundur.”

Ndërsa, sa i përket të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike, mjeku kardiolog thekson që marrja e ilaçeve të tyre të përditshme është e domosdoshme. Pepo thotë madje që më mirë të harrojnë të hanë buke sesa të harrojnë ilaçet.

Leonidha Pepo: Duhet të marrin mjekimet në rregull për çfarëdo sëmundje që mund të kenë. Të kenë sëmundje zemre, pa diskutim, ushqimin ta harrojnë dhe ilaçet jo. Edhe ata që kanë sëmundje mushkrish, duhet të bëjnë kujdes, të marrin ilaçet në rregull. Kjo varet nga kultura, nga kujdesi personal dhe ai i familjarëve që duhet t’u rrinë në kokë, dhe t’u japin ilaçet në kohë dhe t’u thonë që të bëjnë lëvizje brenda në shtëpi.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!