Tashmë nuk është më një sekret që Theo Hernandez ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha. Paraqitja e shkëlqyer e mbrojtësit të Milanit në sezonin e tij të parë në Seria A, bëri që çmimi i kartonit të tij të rritet.
Sipas raportimit të “Tuttosport”, klubi që ka shfaqur më shumë interes për francezin është PSG-ja. Madje ata janë gati të shpenzojnë 50 milionë euro për Theon dhe drejtori sportiv Leonardo është gati të bëjë gjithçka për të finalizuar marëveshjen.
Francezët po kërkojnë një lojtar për të zëvendësuar Layvin Kurzawa, i cili me shumë mundësi do të largohet gjatë merkatos së verës. Anësori i Milanit i përmbush të gjitha kushtet, prandaj dhe interesimi i PSG-së është shtuar.
Kuqezinjtë paguan vetëm 20 milionë euro në arkën e Real Madrid një vit më parë dhe nëse pranojnë ofertën do të dilnin me fitim. Por, Theo shikohet nga drejtuesit e “Djallit” si një nga shtyllat e ekipit dhe nuk pritet që të heqin dorë nga shërbimet e francezit. /abcnews.al