Çështjet e ngritura nga Presidenti i Republikes para se të japë autorizimin për të negociuar marrëveshjen e detit me Greqinë, do të marrin përgjigje shteruese. Deklarata vjen nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp, qëzhvilloi pas takimit me homologun e tij sllovak.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do t’i përgjigjet çdo pyetje që ka ngritur Presidenti i Republikës para se të japë autorizimin për negociatat rreth marrëveshjes së detit me Greqinë. Grupet e punës se dy institucioneve, sipas ministrit Bushati, po punojnë sëbashku.
Ditmir Bushati: “Mendoj që të gjtiha çështjet që janë ngritur nga ana e Presidentit do të marrin përgjigje shteruese sepse është normale që për një proces delikat siç është procesi që ne do të hyjmë së shpejti me Greqinë pas marrjes së autorizimit nga ana e Presidentit. Duke qëne se ky proces të shkuarën ka pasur edhe aksidentet e tij, ne duam që nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare të kemi një qasje sa më solide dhe të shuajmë çdo pikëpyetje të mundshme.”
Kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, deklaroi se nuk ka një datë fikse për firmosjen e marrëveshjes për detin me Greqinë ndonëse nuk mohoi se ajo mund të firmoset edhe në muajin Prill kur është paralajmëruar edhe takimi i kryeministrit grek, Aleksis Tsipras me atë shqiptar Edi Rama.
Ditmir Bushati: “Pjesa që ju referuat Prillit për një marrëveshje me Greqinë është keqkuptuar. Kemi folur për interesin e të dyja palëve për të firmosur një deklaratë të partneritetit strategjik. Kur vjen puna për firmosje marrëveshjes nuk kemi afate fikse, por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë faktin që në politikë të jashtme afatet apo momenti luajnë një rol përcaktues”.
Deklaratat ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme i bëri pas një takimi me homologun e tij sllovak. Kreu i diplomacisë sllovake deklaroi mbështetjen e vendit të tij për procesin e anëtarësimit të Shqipërise në Bashkimin Europian nëse vendi ynë tregon se ka bërë hapa konkret.
Sllovakia njihet si një ndër shtetet mbështetëse të zgjerimit të Bashkimit Europian. /abcnews.al