Barcelona mund të mbyllë stadiumin e famshëm “Camp Nou” deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Klubi katalanas planifikon të luajë pa spektatorë për një kohë të gjatë, për shkak të Koronavirusit
Historia e tij nisi gati 70 vjet më parë. Stadiumi “Camp Nou” u konceptua në 1950 pas blerjes së Lazlo Kubala, u projektua në 1953, nisi të ndërtohej në 1954 e u përurua në 1957, veçse sot, pas kaq shumë dekadash jetë mund të mbetet bosh.
Epidemia e Koronavirusit, që ka goditur fort sidomos Spanjën, e padyshim edhe Katalonjën, mund ta detyrojë klubin që të marrë vendimin për të luajtur pa spektatorë në “Camp Nou” deri në shkurt 2021.
Pas më shumë se 20000 të vdekurve në Spanjë, drejtuesit katalanas kanë dy skenarë: I pari për të luajtur pa tifozë deri në nëntor të këtij viti, nëse sezoni përfundon në gusht, dhe i dyti për të mbyllur dyert deri në shkurt të vitit të ardhshëm, nëse sezoni nuk përfundon.
Në një rast të tillë, La Liga do të humbiste 1 miliard euro, sipas llogaritjeve, dhe Barcelona do të ishte klubi më i goditur. “Camp Nou” ka një kapacitet prej gati 100000 spektatorësh dhe aty janë luajtur ndeshjet historike të skuadrës katalanase, në Spanjë dhe në kupat e Europës.
Publiku ka pasur fatin të shohë yje të mëdhenj si Kubalan, Suarez, Cruyjf, Romario, Stoickovic, Ronaldinho, Xavi, Iniestën apo Messin. Për fat të keq, një atmosferë e tillë, si në prag të El Clasico së fundit ndaj Realit të Madridit, për shumë kohë nuk do të ekzistojë./abcnews.al