Mirlind Daku, sulmuesi i Ballkanit, për gjashtë muaj ishte pjesë e Superiores. Ai u aktivizua me Kukësin dhe në janar u largua, pasi me verilindorët nuk pati shumë hapësira. Ai u rikthye në kampionatin dardan, ku më parë kishte spikatur me Llapin. Këtë verë zbarkoi në Suharekë dhe kërkon të fitojë titullin kampion.
Daku, së fundmi ka rrëfyer një histori të veçantë, krejtësisht personale. Për “GazetaBlic Sport” ai tregon raporton e tij me gjyshin, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2017. “Që në momentin që vdiq gjyshja, unë isha përkrah gjyshit tim. Flija me të dhe i kam premtuar që asnjëherë nuk do ta lë vetëm. E ndihmoja për gjithçka.
Tre vite pas vdekjes së gjyshes, gjyshi im, i cili ishte haxhi, duke u rikthyer nga xhamia për në shtëpi, pësoi një aksident. E kishte shkelur vetura, duke ia thyer dorën. Nga ajo natë ai nuk ishte në gjendje të pastrohej, e as të bënte gjërat elementare. Gjithë kohën i qëndroja afër, duke ia mundësuar gjërat elementare e deri tek abdesi”, tregon sulmuesi i Ballkani.
Daku më pas zbulon edhe bisedën që kishte bërë me të para transferimit te Llapi: “Kur erdhi puna që unë të transferohem te klubi i Llapit, ai më tha: ‘Kujdes çfarë po nënshkruan, sepse ti duhet ta dish që e ke një njeri këtu në shtëpi, për të cilin duhesh të kujdesesh’.Jam ndier shumë keq, saqë nuk kam ditur se çfarë të bëj.
Ma thoshte pa pushim në gjë të tillë. Sikur Zoti deshi të m’i hapë rrugët dhe gjyshi vdiq me 3 janar të vitit 2017, pasi edhe ai dëshiroi që Zoti të mos më pengojë në ëndrrën time. Unë nënshkrova kontratën dhe fillova stërvitjet, më 5 janar 2017, me Llapin. Kjo histori do të jetë kujtim tek unë tërë jetën.
Nga ai moment, për çdo gol mundohem të jem falënderues ndaj Zotit së pari, e pastaj t’ia dedikoj gjyshit. Ai është forca ime më e madhe nga lart. Zoti më shpërblen, për shkak të sakrificës dhe kujdesit që kam bërë pa interes”, thotë në mbyllje Mirlind Daku. /abcnews.al