Manuel Neuer ka një kontratë deri në vitin 2021 me Bayern Munchen dhe po negocion prej kohësh për rinovimin e saj. Mediat gjermane kanë raportuar gjatë gjithë kësaj kohe që 34-vjeçari kërkon një kontratë 5-vjeçare dhe rritje rroge sezonale, nga 15 milion euro në 20 milion euro.
Kapiteni i skuadrës bavareze ka mohuar gjithçka në një prononcim për Bild dhe s’e fsheh shqetësimin për shifrat e gabuara që qarkullojnë. Neuer tregohet i sinqertë, edhe pse nuk përmend shifra konkrete, por thekson se negociatat janë në rrugë të mbarë.
“Janë të gabuara ata shifra që kanë dalë në media. Në bisedimet që kam patur me Salihamidzic dhe Kahn, jemi në sintoni edhe për kohëzgjatjen e kontratës së re. Jam 34 vjeç, nuk ia kam idenë se në çfarë forme do të jem në moshën 39-vjeçare.
Është utopike t’i kërkosh kaq shumë klubit, nuk kanë asnjë sens këto thashetheme. Çdo bisedë me klubin është zhvilluar në siguri maksimale, asgjë nuk ka dalë në publik. Detajet që përfliten në media nuk janë të sakta. Më shqetëson kjo gjë”, deklaron kapiteni. /abcnews.al