Pak ditë nga zgjedhjet e përgjithshme, figurat kyçe të politikës në Itali po japin mesazhet e fundit sa u takon aleancave. Lëvizja 5 Yjet dhe partia të Lirë dhe të Barabartë do të garojnë të vetme, ndërsa ish-kryeministri Berluskoni ka bërë aleancë me populistët e Mateo Salvinit.
Të dielën e ardhshme Italia shkon në zgjedhje. Një proces i rëndësishëm elektoral sa për vetë vendin, ashtu edhe për Europën. E teksa parashikimet rezultojnë paksa të vështira, protagonistët kryesorë të procesit kanë dhënë tashmë sinjalet e tyre me kë do të bashkëqeverisin e me kë jo.
Kështu, Lëvizja 5 Yjet i ka mbështetur forcat e saj tek Luixhi di Maio, i cili në një tubim të mbajtur në Romë, duke përdorur fjalën e urtë “qesh mirë kush qesh i fundit”, ka shprehur bindjen se do të sigurojnë 40 për qind të votave. Ish-kryeprokurori i Antimafias dhe ish-presidenti i Senatit, Pietro Graso ka mohuar në mënyrë kategorike një aleancë të mundshme me ish-kryeministrin Silvio Berluskoni dhe radikalët e Ligës së Veriut, të udhëhequr nga Mateo Salvini.
“Ne jemi të palëvizshëm në qëndrimin për t’i thënë jo çdo qeverisjeje me të djathtën, me Salvinin dhe Berluskonin”, ka deklaruar Graso, tashmë kryetar i partisë të Lirë dhe të Barabartë. Nga ana e tyre, ish-kryeministri i Italisë dhe kreu i radikalëve kanë rikonfirmuar aleancën mes tyre në takimin elektoral të radhës.
“Shpresojmë të arrijmë mazhorancën si në Dhomën e Parlamentit, ashtu edhe në Senat, për të krijuar një qeveri solide, për të cilën vendi ka nevojë”, ka deklaruar Berluskoni.
Ndërsa Salvini, i bindur për fitore, ka thënë se mezi pret mbajtjen e zgjedhjeve dhe është shprehur i bindur se figurat e tjera politike një ditë më vonë do të jenë vetëm një kujtim i largët. E teksa është i njohur për qëndrimin kundër emigrantëve, gjatë gjithë fushatës zoti Salvini nuk ka dhënë asnjë alternativë për zgjidhjen e problemeve që prej dekadash mbajnë peng Italinë, korrupsionin, infiltrimet e kapitaleve të mafias, evazionin fiskal dhe krizën ekonomike.
Ndërkohë, vala e populizmit e shkaktuar prej tij ka sjellë një sërë incidentesh të dhunshme në manifestimet elektorale./abcnews.al