Armand Duka ka humbur njeriun më të shtrenjtë ditën e sotme. Nëna e presidentit të FSHF-së, Vajdie Duka ka mbyllur sytë për herë të fundit në moshën 81-vjeçare. Lajmi është bërë publik nga djali i madh i saj, Agron Duka.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste thekson në postimin e tij se, duke u ndikuar nga gjendja e koronavirusit, familjarët do të detyrohen të heqin dorë nga zakonet e moçme, ritet do të kryhen pas kalimit të situatës, teksa e cilëson si dritën e shtëpisë nënë Vajdien.
“Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të nënës sonë Vajdie Duka, në moshën 81 vjeçare, e cila ka qenë drita e shtëpisë tonë dhe drita e dijes e shumë nxënësve përgjatë karierës së saj si mësuese. Një humbje e madhe që lehtësohet vetëm nga dashuria me të cilën ka mbushur përherë zemrat tona dhe gjithë të afërmëve të saj.
Të dashur miq, koha e pazakontë në të cilën jetojmë na detyron të heqim dorë nga zakonet e moçme falë të cilave kemi qenë afër njëri-tjetrit edhe në hidhërime, prandaj të gjitha ritet do t’i zhvillojmë pas kalimit të kësaj situate. Në emrin tim dhe të familjes sime, ju falënderoj për mesazhet tuaja!”, shkruan vëllai i kreut të futbollit shqiptar. /abcnews.al