Numri i viktimave të shkaktuara nga koronavirusi brenda një dite është rritur sërish në Spanjë.
Autoritetet vendase bënë të ditur të dielën se brenda 24 orëve, si pasojë e Covid-19 kanë humbur jetën 619 persona. Bilanci total i viktimave rritet në 16,972.
Ndërsa, brenda 24 orëve të fundit, vendi ka regjistruar 2,992 raste të reja me virusin korona. Numri total i të infektuarve rritet në 166,019. Siç kanë raportuar autoritetet e shëndetit në vend, numri i personave që e kanë mundur sëmundjen dhe kanë dalë nga spitali është 62,000.
Kryeministri i vendit Pedro Sánchez, u kërkoi presidentëve rajonalë këtë të diel “koordinim, transparencë dhe besnikëri” në luftën kundër Covid-19.
Sipas radhitjes në worldometer, Spanja është vendi i dytë më i prekur nga koronavirusi në botë. Në vendin e parë qëndrojnë SHBA-të me 533,115 të infektuar dhe 20,580 viktima. /abcnews.al/