“Faleminderit që më shërove gjyshin”, mesazhi prekës tek hyrja e Infektivit që sot gjeti qetësi

schedule11:33 - 7 Prill, 2020

schedule 11:33 - 7 Prill, 2020

Pas shumë ditësh fluksi dhe presioni, si duket më në fund tek Infektivi është krijuar një situatë qetësie.

Gazetarja e ABC News Erneta Shevroja duke raportuar nga shërbimi Infektiv u shpreh se, të paktën deri më tani, nuk është shfaqur asnjë ambulancë me pacient të rinj.

Qetësisë tek Infektivi i shtohet edhe një tjetër lajm i mirë, që në 24 orët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast fatal mes të sëmurëve me Covid-19 në vend. Gjithashtu edhe nga Shkodra, një vatër e “nxehtë” e koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit është raportuar asnjë rast i ri.

Nga ana tjetër, tek gardhi rrethues tek Infektivi është vendosur një banderolë e re, në të cilën qytetarë të ndryshëm kanë shkruar mesazhe falenderuese për mjekët që po luftojnë në vijën e parë.

Gazetarja shprehet:

“Kjo eshte një banderolë ndryshe nga ajo e para që ishte falendermi për të gjithë mjekët që shërbejnë tek Infektivi. Në këtë banderolë kemi disa flutura që kanë disa mbishkrime ku përmenden emër për emër mjekët e spitalit të Infektivit. Për shembull këtu është një mesazh për doktor Mondin: Të falenderoj nga zemra që shërove gjyshin tim…Në këtë fluturën tjetër janë përmendur të gjithë infermierët e katit të dytë…”

Ndërsa sa i përket situatës së përgjithshme në QSUT, gazetarja e ABC News shprehet se numri i njerëzve më qendra konsultash apo spitale është shumë herë më i vogël se zakonisht dhe kjo tregon edhe një lloj stepjeje nga qytetarët në këtë kohë krize.

Kujtojmë këtu se, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, brenda 24 orëve në vendin tonë janë regjistruar vetëm 6 ( 4 në Tiranë, 1 Korçë dhe 1 në Elbasan) raste të reja me Covid-19. Kështu numri total i të infektuarve rritet në 383.

Po ashtu, brenda 24 orëve janë shëruar 15 persona dhe numri total i të shëruarve rritet në 131. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!